Kushtrim Gashi

Dirigjent

U lind në Drenas. Shkollën fillore kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme të muzikës në Prishtinë. Studioj në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Kompozim dhe Dirigjim Orkestral. Studimet postdiplomike kreu në Shkup / Maqedoni, ndërsa në Darmstadt / Gjermani, Kompozim dhe Dirigjim Koral.

Në cilësinë e kompozitorit, Gashi është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, si: Winner of “Menzione Speciale Prize” - 13 Premio Trio Di Trieste Composition – Italy; Daegu New Music Festival – South Korea, etj. Veprat e Gashit janë ekzekutuar si brenda, po ashtu dhe jashtë vendit, si: Shqipëri, Itali, Gjermani, Francë, Angli e deri në Kore të Jugut. Opusi i veprave të Gashit është mjaftë i gjerë, duke përfshirë ato: Solo, Kamertale, Vokale e deri te ato për orkestër, si: Koncert, Poemë Simfonike, etj.

Përveç si kompozitor, Gashi, për disa vite ushtroj detyrën e Asistent-dirigjentit të Korit të Filarmonisë – Operës së Kosovës; është themelues dhe dirigjent i Orkestrës së të Rinjve të Kosovës, e cila është njëra prej orkestrave të para të llojit të tillë në Kosovë; dirigjent permanent i Orkestrës Kamertale “Rexho Mulliqi” në Prishtinë; dirigjent mysafir i Jugendorchester, në Dornach, Basel / Zvicër.

Gashi mjaft shpesh është i ftuar dhe nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, pastaj nga Orkestra “Sinfonietta” në Darmstadt të Gjermani-së, ndërsa një ndër sukseset e tij është paraqitja me Orkestrën Simfonike “DAEGU MBC SYMPHONY ORCHESTRA” në Kore të Jugut.

Për angazhimet e tija, Gashit i është ndarë një Bursë nga qyteti i Darmstadt-it në Gjermani (aty ku vepron dhe jeton), bursë e cila u ndahet personave të angazhuar në sferën e kulturës, gjegjësisht të muzikës klasike.